
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, duke deklaruar se “e dimë saktësisht ku fshihet” dhe se “nuk do ta vrasim, të paktën për tani”.
Deklarata vjen mes një vale të re zjarri të ndërsjellë mes Izraelit dhe Iranit, që ka hyrë në ditën e pestë, duke përfshirë sulme ndaj bazave ushtarake, qendra komandimi dhe impiante bërthamore në të dyja anët.
Trump postoi në platformën e tij Truth Social:
“Nuk duam raketa mbi civilë apo ushtarë amerikanë. Durimi ynë po soset… DORËZIM I PAKUSHT!”
Pentagoni ka dërguar forca shtesë në Lindjen e Mesme, përfshirë një aeroplanmbajtëse amerikane, ndërsa në Iran janë raportuar shpërthime të forta në Teheran, Isfahan dhe zona të tjera ku ndodhen objekte bërthamore. Komandanti iranian Ali Shadmani është vrarë në një sulm ajror në zemër të kryeqytetit, vetëm katër ditë pasi u vra pararendësi i tij.
Ndërkohë, Revolucioni Islamik i Iranit ka paralajmëruar evakuimin e qyteteve izraelite Tel Aviv dhe Haifa, duke kërcënuar me “operacione ndëshkuese”.
Në qytetet iraniane janë formuar radhë të gjata para furreve dhe pompave të benzinës, ndërsa qytetarët përpiqen të largohen nga kryeqyteti mes frikës së një lufte në shkallë të plotë.
Ndërkohë, vendet e G7-ës, përfshirë edhe vetë Trumpin, kanë bërë thirrje për “de-përshkallëzim”, duke theksuar se Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por njëkohësisht se “Irani nuk duhet të ketë kurrë një armë bërthamore”.
Photo: AFP
KAQPATA