Presidenti amerikan, Donald Trump, ka autorizuar dislokimin e 300 trupave të Gardës Kombëtare në qytetin e Çikagos, duke e cilësuar situatën e krimit atje si “jashtë kontrollit”.
Vendimi u mor vetëm disa orë pasi autoritetet e imigrimit u përballën me protestuesit në këtë qytet, ku ndodhi një incident me armë zjarri ndaj një gruaje të armatosur që kishte tentuar të sulmonte automjetet e policisë.
Guvernatori i Illinoisit, JB Pritzker, e ka kritikuar ashpër këtë veprim, duke e cilësuar si “tentim për të krijuar krizë”, ndërsa zyrtarë lokalë e kanë quajtur vendimin abuzim me pushtetin.
Ky zhvillim ndodh teksa një gjyqtar federal në Portland ka ndaluar përkohësisht administratën Trump nga dërgimi i 200 trupave në atë qytet, ndërsa nuk dihet nëse edhe Çikago do të ndjekë të njëjtën rrugë ligjore.
Trump ndërkohë ka deklaruar se dëshiron që qytetet amerikane të shërbejnë si “qendra stërvitjeje” për trupat, për të luftuar “armikun e brendshëm” dhe për të “shuar trazirat”.
Pavarësisht se niveli i krimit ka rënë gjatë dy viteve të fundit, Çikago vazhdon të mbetet ndër qytetet me përqindjen më të lartë të dhunës në SHBA. Vetëm gjatë fundjavës së Ditës së Punës, janë regjistruar 58 të shtëna me armë, prej të cilave tetë kanë përfunduar me fatalitet.
KAQPATA