Një nga historitë më të dhimbshme të konfliktit në Gaza ka marrë një kthesë të rrallë shprese. Evyatar David, 24-vjeçari izraelit që tronditi botën në gusht, kur u shfaq në një video duke gërmuar varrin e tij në një tunel të Hamasit, është mes 20 pengjeve të liruara dje dhe të kthyer në Izrael.
Pamjet e tij kishin bërë xhiron e botës: një i ri i rraskapitur, me duar që mezi mbanin lopatën, duke luftuar për frymëmarrje dhe jetë në errësirën e nënës tokë. Videoja, e publikuar me pëlqimin e familjes, ishte bërë simbol i brutalitetit të robërisë dhe i forcës së njeriut përballë pamundësisë.
“Nuk kam ngrënë prej ditësh,” dëgjohej të thoshte me zë të dridhur, duke treguar një kanaçe bosh – një pamje që ngjalli tronditje e zemërim global.
Pas muajsh negociatash të ndërlikuara dhe si pjesë e marrëveshjes më të fundit për armëpushim në Gaza, David u lirua të hënën dhe u dërgua menjëherë në Izrael. Mjekët thanë se ai është në gjendje stabile, ndërsa momentet e ribashkimit me familjen e tij janë përshkruar si “të papërshkrueshme”.
Familja e Davidit kishte zhvilluar një fushatë të gjerë ndërkombëtare, duke kërkuar ndërhyrjen e organizatave humanitare dhe qeverive aleate për lirimin e tij.
Zyrtarët izraelitë e kanë quajtur këtë lirimi “fitore të ndjeshme njerëzore në mes të errësirës së luftës”, ndërsa komuniteti ndërkombëtar e ka përshëndetur si hap të rëndësishëm drejt de-përshkallëzimit të tensioneve.
Pamjet e fundit tregojnë Davidin duke përqafuar nënën e tij në aeroportin “Ben Gurion”, një moment që për shumëkënd simbolizon shpresën se edhe pas ferrit, njeriu mund të kthehet në dritë.
Lirimi i tij vjen në një kohë të brishtë për rajonin, ku përpjekjet për armëpushim ende përplasen me realitetin e dhimbjes dhe urrejtjes që ka marrë rrënjë.
Por historia e Evyatar David mbetet dëshmi e fortë se jeta, pavarësisht plagëve, gjen gjithmonë rrugë për t’u rikthyer.
KAQPATA