Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Ekaterina Trëndafilova, i është përgjigjur letrës që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i kishte dërguar në shtator të vitit 2022. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës, Michael Doyle.
Sipas Doyle, në përgjigjen e saj Trëndafilova ka theksuar se gjykatësit e DhSK-së janë të pavarur në vendimmarrje dhe se çdo vendim mbi paraburgimet merret nga trupat gjykuese përkatëse, jo nga kryetarja e gjykatës.
Ai po ashtu bëri të ditur se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të vazhdojë të hënën, nga ora 14:00 deri në 17:00. Mbrojtja e Hashim Thaçit pritet të thërrasë edhe tre dëshmitarë të tjerë, ndërsa më 18 nëntor do të dëshmojë ish-gjenerali amerikan Wesley Clark – dëshmitari i fundit i kësaj mbrojtjeje. Për dëshminë e tij është caktuar edhe një seancë shtesë më 21 nëntor.
Doyle njoftoi gjithashtu se trupi gjykues ka refuzuar një ankesë të mbrojtjes, e cila pretendonte se Prokuroria nuk kishte dorëzuar me kohë disa materiale. Sipas gjykatës, megjithëse ZPS nuk kishte njoftuar në detaje për disa prova, ato ishin dorëzuar pa vonesë dhe nuk kishin ndikuar në dëm të mbrojtjes.
DhSK mban çdo të enjte një informim javor online për zhvillimet më të fundit në proceset gjyqësore dhe veprimtaritë e saj.
KAQPATA