
Graz, Austri – Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin Graz të Austrisë mëngjesin e sotëm, kur të shtëna me armë janë raportuar brenda një shkolle të mesme në lagjen Lend. Sipas raportimeve paraprake nga mediat lokale, të paktën tetë persona kanë humbur jetën, ndërsa numri i të plagosurve mendohet të jetë dyshifror.
Incidenti ndodhi rreth orës 09:45 të mëngjesit, në ambientet e shkollës BORG në rrugën Dreierschützengasse, ku dëshmitarë nga vendngjarja kanë raportuar për më shumë se 20 të shtëna.
Autoritetet austriake ende nuk kanë konfirmuar shifrat zyrtare, por burime pranë hetimeve kanë pohuar se mes viktimave ndodhen nxënës dhe mësues.
Forcat e rendit, përfshirë edhe njësinë speciale Cobra, janë mobilizuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner, ka njoftuar se është nisur drejt Graz-it për të ndjekur nga afër zhvillimet.
Sipas informacioneve fillestare, autori i dyshuar është identifikuar si një student i kësaj shkolle, i cili dyshohet se ka vepruar pas një periudhe të gjatë ngacmimesh psikologjike. Ai është gjetur i vdekur në një nga tualetet e shkollës, me dyshimet që i ka dhënë fund jetës së tij pas aktit tragjik.
Të shtënat janë regjistruar në dy klasa të ndryshme, çka e bën situatën edhe më dramatike.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në mbarë opinionin publik austriak dhe më gjerë. Autoritetet kanë kërkuar qetësi dhe durim, duke theksuar se hetimet janë në vazhdim dhe çdo informacion zyrtar do të komunikohet në kohë.
KAQPATA shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe solidarizohet me komunitetin arsimor në Graz.
KAQPATA