
Top Kolshi, i dyshuar për vrasjen dhe groposjen e Enver Bajraktarit në fshatin Baicë të Lipjanit, është deklaruar i penduar gjatë seancës dëgjimore të mbajtur më 13 gusht në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Në fjalën e tij, Kolshi tha se nuk kishte qëllim të vriste viktimën, por se ajo ndodhej në pronën e tij dhe e kishte sulmuar. “Më vjen keq për familjen e të ndjerit. Nuk kam pasur arsye dhe as qëllim që ta mbys, jam penduar”, tha ai.
Avokati i tij, Halim Shala, kërkoi nga gjykata që të bëhet ekzaminim psikiatrik për klientin, duke theksuar se gjendja e tij mendore në momentin e ngjarjes duhet të verifikohet. Prokurori Arben Hoti u shpreh se do të shqyrtohet kjo kërkesë dhe u kërkua dorëzimi i dokumenteve mjekësore nëse ekzistojnë.
Gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar se më 3 gusht Kolshi, në bashkëkryerje me persona të paidentifikuar, vrau Bajraktarin pas një konflikti të mëparshëm. Trupi i viktimës u gjet i groposur në një arë misri më 4 gusht.
Përveç akuzës për vrasje të rëndë, Kolshi dyshohet edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve, pasi në shtëpinë e tij u gjet një armë Zastava dhe 50 gëzhoja.
Gjykata caktoi masën e paraburgimit, duke marrë parasysh rrezikun e përsëritjes së veprës dhe të arratisjes, si dhe të kaluarën e tij kriminale.
KAQPATA