
TIRANË, 16 Qershor 2025
Shqipëria rikthehet sot në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, duke pritur në Tiranë Ministerialin e Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore (SEECP), ku marrin pjesë liderët dhe përfaqësuesit e lartë të 13 shteteve të rajonit.
Kryeministri Edi Rama, në paralajmërimin për këtë ngjarje, e quajti një moment të rëndësishëm për pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë, duke theksuar përkushtimin e vendit në drejtim të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria, sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare. Vendi ynë është i angazhuar plotësisht për të nxitur përparimin e rajonit drejt integrimit në BE,” u shpreh Rama.
Tirana ka mbajtur kryesimin e SEECP-së për periudhën korrik 2024 – qershor 2025, duke pasuar Shkupin. Në përfundim të këtij takimi, stafetën do ta marrë Sofja.
Sipas axhendës zyrtare, në orën 14:30 pritet ceremonia e pritjes së delegacioneve nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj, i cili do të mbajë edhe një fjalë hapëse. Më vonë, presidenti do zhvillojë takime bilaterale me liderët rajonalë për thellimin e bashkëpunimit.
Në mbyllje të punimeve, pritet një deklaratë e përbashkët për media nga Presidenti Begaj, Presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska-Davkova dhe Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev, ku Shqipëria do t’i dorëzojë zyrtarisht kryesimin Bullgarisë.
Nën moton “Formësimi i së ardhmes sonë europiane”, Shqipëria ka udhëhequr këtë periudhë me fokus në zbatimin e objektivave të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe përshpejtimin e rrugës drejt BE-së.
SEECP përbëhet nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Kosova dhe Turqia. Ky forum është krijuar për të nxitur paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal, me synimin final – integrimin europian dhe euroatlantik të gjithë rajonit.
Procesi i SEECP-së u iniciua më 1996 në Sofje, ndërsa samiti i parë u mbajt në Kretë më 1997. Shqipëria këtë herë jo vetëm që mirëpret, por synon të udhëheqë me vizion dhe ndikim real për të ardhmen europiane të Ballkanit.
KAQPATA