
Rreth 24 mijë nxënës të klasës së nëntë në mbarë Kosovën do të përballen nesër me Testin e Arritshmërisë, një proces i rëndësishëm për kalimin në klasën e dhjetë. Autoritetet e arsimit kanë paralajmëruar masa të rrepta ndaj rasteve të kopjimit.
Sipas Fatmir Elezit, udhëheqës në Ministrinë e Arsimit, janë mobilizuar 1,550 administrues në 170 qendra testimi, ndërsa testi do të zhvillohet për të gjitha lëndët brenda një dite të vetme.
“Testi është orientues dhe nuk ka prag kalueshmërie, por shërben për regjistrim në klasën e dhjetë,” tha Elezi.
Në lidhje me masat ndaj kopjimeve, Elezi përmendi që ndarja e nxënësve përmes platformës e-Kosova do të minimizojë manipulimet. Vitin e kaluar, mbi 80 nxënës u përjashtuan për përdorim të telefonit në Testin e Maturës – një paralajmërim për të gjithë pjesëmarrësit edhe këtë vit.
Nga ana tjetër, eksperti i arsimit Rinor Qehaja nga Instituti “EdGuard”, shprehu shqetësim për zbehjen e vlerës së testit si pasojë e manipulimeve.
“Nëse nuk menaxhohet mirë, testi nuk reflekton dijen reale të nxënësve,” theksoi ai.
Rezultatet e testit pritet të shpallen deri më 5 korrik.
KAQPATA