
Një pako me përmbajtje të dyshuar narkotike është sekuestruar nga Dogana e Kosovës, pas një kontrolli të rregullt në Zyrën për Zhdoganimin e Mallrave Postare. Pakoja kishte ardhur nga Gjermania dhe ishte deklaruar si mall ushqimor, por gjatë verifikimit fizik, autoritetet zbuluan 650 gram fara, të cilat dyshohet se janë fara të bimës kanabis.
Sipas njoftimit zyrtar nga Dogana, produkti ishte etiketuar si “fara bio për konsum”, por pamja e tyre ngjante me farat që përdoren për mbjelljen e kanabisit.
Pas dyshimeve të para, rasti iu referua menjëherë Njësisë Anti-Drogë të Policisë së Kosovës, e cila doli në vendin e ngjarjes dhe mori në kontroll situatën. Policia ka identifikuar dhe ndaluar personin që kishte shkuar për të tërhequr pakon, ndërkohë që materiali i dyshuar është sekuestruar për hetime të mëtejshme.
Autoritetet theksojnë se ky është një tjetër rast që dëshmon vigjilencën në kufi dhe përkushtimin për parandalimin e futjes së substancave të ndaluara në vend.
“Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në mbrojtje të ligjit, sigurisë publike dhe shëndetit të qytetarëve, përmes bashkëpunimit të ngushtë në çdo rast të dyshimtë”, thuhet në reagimin zyrtar.
Hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar origjinën, destinacionin dhe qëllimin e dërgimit të pakos.
KAQPATA