Në brigjet e lumit Nemunas, kufiri mes Lituanisë dhe enklavës ruse të Kaliningradit po kthehet në një zonë të ftohtë tensionesh ushtarake. Flamujt e NATO-s dhe BE-së përballen me simbolin “Z” rus, ndërsa ura që dikur lidhte qytetet Panemune dhe Sovetsk tani është e mbyllur për qarkullim, e rrethuar me barriera anti-tank.
Banorët e Panemune, si Titas Paulkstelis, kujtojnë kohët kur kufiri ishte i hapur për tregti dhe vizita ditore. Sot, ai dëgjon të shtëna, shpërthime dhe sheh dronë që kalojnë mbi fshat. “E dimë që nëse ndodh diçka, këtu do të vijë e para,” thotë ai me qetësi.

Në Kaunas, qindra vullnetarë të Unionit të Pushkatarëve Lituanez (LRU) po trajnohen për sulme “hibride” – nga dezinformimi e deri te sulmet me dronë. Numri i anëtarëve të LRU-së është trefishuar që nga viti 2014, kur Rusia pushtoi Krimenë. Qeveria lituaneze ka miratuar një ligj që lejon ushtrinë të rrëzojë çdo dron që hyn në hapësirën e saj ajrore.
Ish-ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, e ka quajtur çdo dron që kalon kufirin e NATO-s “objekt të rrezikshëm” që duhet eliminuar menjëherë. Ai paralajmëron se çdo hezitim “i jep zemër Kremlinit”.
Tensionet janë ndezur edhe më shumë pas raportimeve se disa dronë rusë kanë hyrë në hapësirat ajrore të Gjermanisë, Danimarkës dhe Estonisë. Ndërkohë, SHBA dhe Polonia kërkojnë që NATO të reagojë ashpër ndaj çdo shkeljeje.
Ish-ministrja e Mbrojtjes Rasa Jukneviciene, e cila dikur paralajmëroi për rrezikun rus, thotë se tani ndjehet më e sigurt: “Nuk jemi plotësisht gati, por jemi më të përgatitur se kurrë më parë.”
Në një Evropë që përballet me pasiguri, Lituania është bërë një simbol i vendosmërisë për të qëndruar në vijën e parë të mbrojtjes ndaj Rusisë.
Shkruan : AL Jazeera
KAQPATA