
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) kanë ngritur shqetësim për kushtet e rënda të punës në Pallatin e Drejtësisë, për shkak të mosfunksionimit të sistemit të ftohjes në ambientet e Prokurorisë së Apelit dhe asaj Themelore në Prishtinë.
Sipas njoftimit të përbashkët, temperaturat brenda zyrave po arrijnë mbi 35°C, gjë që, sipas tyre, e bën të pamundur zhvillimin normal të punës dhe rrezikon seriozisht shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve.
KPK dhe ZKPSH u bëjnë thirrje Kryeprokurorëve që të ndërmarrin masa të menjëhershme, përfshirë edhe reduktimin e orarit të punës, deri në përmirësimin e kushteve.
Në komunikatë thuhet se kërkesat për rregullimin e sistemit të ftohjes janë bërë prej vitesh, por nuk kanë marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme, që menaxhon objektin.
Institucionet prokuroriale kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe efektive për të siguruar kushte elementare pune për stafin.
KAQPATA