
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim unanim për të njohur të drejtën në pension të punëtorëve të larguar nga puna gjatë periudhës 1989–1999, si pasojë e masave të dhunshme.
Rasti KO35/24 u iniciua nga Avokati i Popullit, i cili kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-248 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.
Gjykata konstatoi se neni 4 i këtij ligji, që shton nenin 8A në ligjin bazik, nuk bie ndesh me Kushtetutën, duke respektuar barazinë para ligjit dhe standardet ndërkombëtare për ndalimin e diskriminimit.
Përmes këtij aktgjykimi, është krijuar një skemë e re pensionale – “pension parcial kontributpagues i moshës”, që u njeh të drejtën në pension punëtorëve të larguar nga ndërmarrjet shoqërore, gjyqësori, policia dhe sektorë të tjerë, edhe nëse nuk arrijnë stazhin e plotë prej 15 vitesh.
Gjykata nënvizoi se për këtë periudhë nuk kërkohet më dëshmi për pagesë të kontributeve, por vetëm provë që punëtori është larguar nga puna gjatë viteve 1989–1999.
Ky vendim vlerësohet si një hap drejt drejtësisë sociale, duke eliminuar diskriminimin dhe duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët e prekur nga ato rrethana historike.
KAQPATA