
Reshjet e dendura të shiut gjatë ditës së sotme kanë prishur planet e pushuesve në plazhet e Velipojës dhe Shëngjinit. Si pasojë, shumë turistë janë larguar, ndërsa qarkullimi në akset kryesore Shkodër–Lezhë dhe Lezhë–Milot ka qenë i rënduar për më shumë se dy orë.

Probleme janë regjistruar edhe në rrugët dytësore, ndërsa dalja nga Shëngjini mbetet e vështirë për drejtuesit e automjeteve. Për të menaxhuar situatën, në kryqëzime dhe akse të rëndësishme janë vendosur punonjës të policisë.

Qarkullimi i vështirësuar dhe reshjet e shiut kanë sjellë shqetësime edhe për tragetet turistike, të cilat janë detyruar të lundrojnë pranë bregut për të shmangur rreziqet. Ndërkohë, stuhia ka sjellë edhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona dhe ka neutralizuar zjarrin në Pogradec, duke parandaluar përhapjen e flakëve pranë një karburanti.

Autoritetet këshillojnë qytetarët dhe turistët të jenë të kujdesshëm gjatë qarkullimit dhe të ndjekin udhëzimet e policisë dhe shërbimeve emergjente.