Përfaqësuesja e Serbisë në futboll po përgatitet për një ndeshje të vështirë ndaj Shqipërisë, e cila do të zhvillohet të shtunën në orën 20:45 në stadiumin “Duboçica” të Leskovcit. Takimi është pjesë e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 dhe pritet të jetë vendimtar për pozitën e dytë në Grupin K.
Selektori i Serbisë, Dragan Stojkoviq, ka vlerësuar kundërshtarin shqiptar duke e quajtur një rival të fortë sportiv. Në konferencën për shtyp, ai tha se ekipi i tij është i fokusuar dhe i gatshëm për të dhënë maksimumin.
“Na pret ndeshje e vështirë ndaj një kundërshtari cilësor. Do të japim gjithçka për ta gëzuar vendin me fitore. Kjo është një nga ndeshjet më të rëndësishme për ne në këtë cikël”, tha Stojkoviq.
Trajneri serb theksoi se përkundër humbjes 5:0 ndaj Anglisë në ndeshjen e kaluar, skuadra është e motivuar për t’u rikthyer me një paraqitje të fortë. Ai shtoi se do të synojnë lojë ofenzive që nga minuta e parë dhe se nuk pret befasi nga përzgjedhja e trajnerit të Shqipërisë, Sylvinho.
“Nuk ndiej presion. E dimë se çfarë kemi përpara dhe jemi përgatitur mirë. Do të jetë ndeshje me shumë intensitet, por do të mbetemi të qetë e të durueshëm”, u shpreh ai.
Ndeshja e parë ndërmjet dy kombëtareve, e luajtur në “Air Albania”, kishte përfunduar pa gola. Aktualisht, Shqipëria renditet në vendin e dytë me tetë pikë, ndërsa Serbia është e treta me shtatë.
KAQPATA