Pas më shumë se katër vjetësh nga njoftimi fillestar, Spotify ka nisur më në fund të prezantojë opsionin e transmetimit audio pa humbje për përdoruesit Premium.
Në një deklaratë zyrtare, kompania bëri të ditur se funksioni ka filluar të shpërndahet në disa rajone dhe do të jetë falas për abonentët.
Për të dëgjuar këngë në cilësi të plotë pa humbje, përdoruesit duhet të shfrytëzojnë Spotify Connect ose kufje të lidhura me kabllo (analog ose USB), pasi lidhja përmes Bluetooth ende nuk e mbështet këtë cilësi.
Sipas Spotify-t, shumë pajisje tashmë janë kompatibile, përfshirë markat Sony, Samsung, Bose dhe Sennheiser, ndërsa mbështetja për pajisjet Sonos dhe Amazon do të vijë muajin e ardhshëm.
“Mënyra më e mirë për ta shijuar muzikën pa humbje është transmetimi përmes Wi-Fi dhe përdorimi i një lidhjeje jo-Bluetooth, siç është Spotify Connect. Bluetooth nuk ofron bandwidth të mjaftueshëm dhe për këtë arsye sinjali duhet të kompresohet”, sqaroi kompania.
Kur aktivizohet ky opsion, muzika transmetohet në formatin FLAC 24-bit/44.1 kHz, që përfaqëson një hap përpara në cilësinë e dëgjimit, ndonëse jo në nivelin e disa konkurrentëve si Tidal, që ofron FLAC 24-bit/192 kHz në shërbimin HiRes.
Spotify e kishte njoftuar për herë të parë këtë funksion në vitin 2021, duke e prezantuar si HiFi, por lançimi u shty disa herë. Në fillim ishte spekuluar se do të kishte një kosto shtesë prej 5 dollarësh në muaj, por tashmë ofrohet falas për abonentët Premium.
KAQPATA