
Agon Zejnullahu, i riu 27-vjeçar që vdiq në rrethana të dyshimta në Lipjan, pak pas arrestimit nga Policia e Kosovës, do të varroset sot në orën 19:00.
Familjarët kanë konfirmuar për mediat se ceremonia mortore do të mbahet në varrezat e fshatit Banullë.
Vdekja e Zejnullahut ka ngjallur reagime të shumta publike dhe ka hapur hetime nga Inspektorati Policor i Kosovës. Sipas deklaratave zyrtare, ai dyshohej se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe kishte shkaktuar shqetësime publike duke sulmuar kalimtarë dhe automjete në rrugën “Haradin Bajrami”.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka deklaruar se njësitë policore kanë ndërhyrë menjëherë për të neutralizuar situatën dhe kanë thirrur edhe ekipin mjekësor emergjent, i cili i ofroi ndihmën e parë viktimës. Megjithatë, përkundër përpjekjeve, Zejnullahu ndërroi jetë pak pas ndërhyrjes.
Hetimet për këtë rast janë ende në zhvillim, ndërsa IPK tashmë ka suspenduar pesë policë që ishin të përfshirë në arrestim. Familja dhe publiku po kërkojnë transparencë të plotë dhe zbardhje të shpejtë të ngjarjes.
KAQPATA