
Sonte në Paris do të shpallet fituesi i Topit të Artë 2025. Ceremonia do të zhvillohet në “Théâtre du Châtelet” nga ora 20:00. Emri i triumfuesit mbahet ende sekret dhe dihet vetëm nga kryeredaktori i “France Football”, Vincent Garcia.
Pas rregullit të ri të vendosur vitin e kaluar, nuk ka më paralajmërime për fituesin. Në garë janë 30 kandidatë, por dy favoritë kryesorë shihen Ousmane Dembélé i PSG-së dhe Lamine Yamal i Barcelonës.
Dembélé, i cili sezonin e kaluar fitoi tripletën me PSG-në, shihet me një epërsi të vogël. Megjithatë, adoleshenti Yamal mund të marrë trofeun falë paraqitjeve të shkëlqyera me Barcelonën dhe kombëtaren spanjolle.
Këtë vit çmimi bazohet në performancën gjatë një sezoni të plotë, duke vlerësuar kontributin individual, talentin dhe sportivitetin.
Ceremoninë do ta udhëheqë Ronaldinho, i cili gjithashtu do të dorëzojë trofeun. Krahas Topit të Artë, do të ndahen edhe çmimet për portierin më të mirë, golashënuesin më të mirë dhe lojtarin më të mirë të ri.
KAQPATA