
Petrit Halilaj, artisti i njohur nga Kosova, është shpallur fitues i Çmimit Nasher 2027 nga Nasher Sculpture Center në Dallas. Ai është artisti më i ri që fiton këtë çmim që nga themelimi i tij në 2015. Çmimi, i dhënë dyvjetarisht që nga 2023, përfshin 100,000 dollarë dhe një ekspozitë dhe programim në Nasher, detaje për të cilën do të njoftohen më vonë.
Në një lëvizje të veçantë, Halilaj ka vendosur të dhurojë të gjithë çmimin për Fondacionin Hajde!, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Kosovë, që ai themeloi së bashku me motrën në 2014, për të mbështetur punën e artistëve kosovarë.
“I jam mirënjohës për këtë njohje dhe dhuratë bujare të Çmimit Nasher, të cilin e dedikoj tërësisht Fondacionit Hajde!,” tha Halilaj. “Misioni i Hajde! është të krijojë mundësi për artin të rezonojë lokalisht dhe përtej kufijve.”
I lindur në 1986 në Kostërrc, Halilaj jeton ndërmjet Kosovës, Gjermanisë dhe Italisë. Ai është i njohur për skulpturat dhe instalacionet që trajtojnë historinë dhe realitetet socio-politike të Kosovës, shpesh përmes një perspektive fëmijërore. Përvoja e tij gjatë Luftës së Kosovës dhe jetesa në kamp refugjatësh në Shqipëri ndikojnë fuqishëm në veprat e tij.
Halilaj ka marrë pjesë në Bienalet më të mëdha ndërkombëtare, duke përfshirë Bienalen e Venedikut (2017, 2013), Bienalen e Lyonit (2019) dhe Bienalen e Sydney-it (2024). Ai gjithashtu ka pasur ekspozita solo në institucione të njohura si Tate St. Ives, Museo Reina Sofia dhe Hamburger Bahnhof.
Carlos Basualdo, drejtori i ri i Nasher, e përshkruan veprën e Halilajt si një hibrid mes dhimbjes dhe gëzimit, duke krijuar hapësira takimi që tejkalojnë kufijtë artistikë, kulturorë dhe gjeografikë. Përzgjedhja e tij tregon vlerësimin për inovacionin formal dhe relevancën e thellë të veprës në kohën e sotme.
KAQPATA