Një rast tronditës dhune në familje është raportuar mbrëmë në Vushtrri, ku një vajzë kosovare sulmoi nënën e saj, ndërsa më pas, gjatë ndërhyrjes së Policisë, lëndoi edhe një zyrtare policore.
Ngjarja ndodhi më 16 shtator 2025, rreth orës 20:50, kur Policia u njoftua për një mosmarrëveshje familjare. Sipas raportit zyrtar, e dyshuara fillimisht goditi nënën e saj, ndërsa gjatë arrestimit i shkaktoi lëndime edhe njërës prej policeve që ndërhyri në vendin e ngjarjes.
Të dy viktimat, bashkë me të dyshuarën, kanë marrë trajtim mjekësor. Për nënën e dhunuar është lëshuar urdhër mbrojtës.
Megjithatë, pavarësisht faktit që sulmi u shënua edhe ndaj një personi zyrtar në detyrë, prokurori i rastit vendosi ta lirojë të dyshuarën në procedurë të rregullt, vendim që ka ngjallur reagime e dyshime mbi mënyrën e trajtimit të rasteve të dhunës në familje dhe respektimin e ligjit ndaj sulmeve ndaj zyrtarëve policorë.
Ky rast ngre pyetje serioze mbi mbrojtjen e viktimave dhe autoritetin e Policisë, në një kohë kur rastet e dhunës në familje në Kosovë vazhdojnë të jenë shqetësim i madh shoqëror.
KAQPATA