Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Mentor Zejnullahu, ka marrë vendim për shkarkimin e Shpend Haxhibeqirit nga pozita e u.d. drejtorit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK). Në vend të tij është emëruar Dr. Arsim Gashi, i cili tashmë e ushtron këtë funksion.
Nga QKUK kanë deklaruar se bëhet fjalë për “ndryshime të brendshme organizative”, pa dhënë detaje nëse vendimi lidhet me raportimet për keqpërdorime dhe skandalet e fundit në këtë institut.
Skandali më i rëndë ndodhi më 8 shtator, kur një person me inicialet L.S. i dha fund jetës në qendrën e paraburgimit në Hajvali. Sipas raportimeve, megjithëse gjykata kishte urdhëruar që i pandehuri të mbahej dhe të ekzaminohej nga IPFK për shkak të gjendjes shëndetësore, instituti nuk e kishte pranuar për trajtim.
Gazeta Nacionale ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Shpend Haxhibeqiri, por ai është mjaftuar me një reagim të shkurtër: “Të lutem mos më pengo. Tung, tung…”.
Haxhibeqiri ka drejtuar IPFK-në për disa vite dhe pas përfundimit të mandatit kishte vazhduar në pozitën e ushtruesit të detyrës deri në marrjen e këtij vendimi.
KAQPATA