Akademia Suedeze ka shpallur fituesin e Çmimit Nobel për Letërsi 2025, duke nderuar shkrimtarin e njohur hungarez László Krasznahorkai.
Krasznahorkai, i cili njihet për stilin e tij të thellë filozofik dhe narrativën komplekse, është autor i romanit të njohur “Tangoja e Satanait”, i përkthyer edhe në shqip nga shtëpia botuese “Aleph”, me përkthim të Shpëtim Kelmendit. Romani është ekranizuar nga regjisori legjendar Béla Tarr, duke u konsideruar një nga filmat më të veçantë të kinemasë evropiane.
Në arsyetimin e saj, Akademia Suedeze theksoi se “Krasznahorkai na kujton me humorin dhe absurditetin e tij Franz Kafkën dhe Thomas Bernhardin”, duke e vlerësuar për mënyrën sesi shkrimi i tij eksploron kufijtë e ekzistencës njerëzore dhe ankthin modern.
Çmimi Nobel për Letërsi është nderimi më i lartë ndërkombëtar për arritje letrare. Ai u nda për herë të parë në vitin 1901për shkrimtarin francez Sully Prudhomme, ndërsa në vitin 2016 e fitoi Bob Dylan, si poeti dhe muzikanti i parë që mori këtë çmim.
Deri më sot, 121 autorë janë nderuar me këtë çmim prestigjioz, ndërsa në katër raste ai është ndarë mes dy shkrimtarëve.
KAQPATA