Një test i ri i trurit, që zgjat vetëm tre minuta, ka rritur shpresat për zbulimin e hershëm të sëmundjes së Alzheimerit. Ai mund të identifikojë problemet e kujtesës shumë përpara vendosjes së diagnozës, duke ndihmuar mjekët të përcaktojnë pacientët që mund të përfitojnë më herët nga trajtimet e reja.
Testi, i njohur si “Fastball”, ka treguar se arrin të dallojë te pacientët me çrregullim të lehtë njohës (MCI) – gjendje që prek kujtesën, të folurin apo të menduarin, por pa penguar jetën e përditshme – se kush ka më shumë gjasa të zhvillojë Alzheimer. Studimet me grupe më të mëdha janë tashmë në zhvillim.
“Metoda jonë pasive për matjen e kujtesës është shumë e ndjeshme për individët me rrezik të lartë, edhe para diagnozës së Alzheimerit”, ka thënë doktori George Stothart, neuroshkencëtar në Universitetin Bath, ku u zhvillua testi, raporton The Guardian.
Testi funksionon nëpërmjet një EEG-je. Sensorët në kokë regjistrojnë aktivitetin elektrik të trurit, ndërsa pjesëmarrësit shohin imazhe që shfaqen me shpejtësi. Rezultatet treguan se pacientët me MCI amnestik – që prek kujtesën për objekte – reaguan më dobët sesa të rriturit e shëndetshëm. Ky grup ka disa herë më shumë gjasa të zhvillojë Alzheimer.
Megjithatë, testi nuk përcakton me siguri kush do të sëmuret. Shkencëtarët besojnë se nëse gjetjet konfirmohen, ai mund të bëhet një mjet i rëndësishëm për mjekët, duke ndihmuar në identifikimin e pacientëve me rrezik të lartë dhe në përdorimin e trajtimeve të reja në kohën e duhur.
Një avantazh tjetër është se testimet kryhen në shtëpitë e pacientëve, gjë që e bën procedurën më të qasshme dhe ul nivelin e ankthit.
Ekspertë ndërkombëtarë e kanë mirëpritur këtë zhvillim, duke e cilësuar si një hap premtues drejt një mjeti të vlefshëm klinik. Megjithatë, ata theksojnë se nevojiten studime më të gjera dhe afatgjata, pasi problemet e kujtesës mund të lidhen edhe me gjendje të tjera shëndetësore.
KAQPATA