Një analizë e re, e bazuar në më shumë se dy dekada të dhënash satelitore, tregon se rezervat e ujit të pijshëm në shumë zona të Evropës po pakësohen me shpejtësi. Studiuesit nga University College London, në bashkëpunim me The Watershed Investigations dhe Guardian, kanë monitoruar ndryshimet në fushën gravitacionale të Tokës për të llogaritur sasinë e ujërave të ëmbla të ruajtura në tokë, në liqene, lumenj dhe akullnaja.
Harta e kontinentit po ndahet në dy zona të forta kontrasti: veriu dhe veriperëndimi po bëhen më të lagëta, ndërsa jugu dhe qendra e Evropës, përfshirë Spanjën, Italinë, Francën, Zvicrën, Gjermaninë dhe pjesë të Mbretërisë së Bashkuar, po përjetojnë tharje të përshpejtuar. Sipas shkencëtarëve, rezervat e fshehura të ujit të ëmbël po bien në nivele të rrezikshme, duke shtuar presionin mbi qeveritë që të marrin masa urgjente për uljen e emetimeve.
Fenomeni po shfaqet në shkallë globale, me zona të Lindjes së Mesme, Azisë, Amerikës së Jugut dhe disa shtete të SHBA-së e Kanadasë që po përballen me kushte të ngjashme. Në Teheran, autoritetet paralajmërojnë mundësinë e arritjes së “ditës zero”, momenti kur furnizimi me ujë të pijshëm do të jetë i pamjaftueshëm, duke imponuar madje masa ekstreme si evakuimi i qytetit.
KAQPATA