
Sekretari i Thesarit amerikan, Scott Bessent, ka bërë të ditur se Uashingtoni ka arritur një marrëveshje “kornizë” me Kinën mbi pronësinë e operacioneve amerikane të TikTok.
Bessent tha se korniza u vendos gjatë bisedimeve tregtare në Madrid dhe synon të hapë rrugën për pronësinë amerikane të platformës. Ai shtoi se Presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti kinez Xi Jinping do të finalizojnë marrëveshjen të premten. Kina nuk ka komentuar ende.
Një afat po afron për pronarin kinez të TikTok, ByteDance, që të gjejë një blerës për operacionet amerikane ose do të përballet me ndalim në SHBA.
Në janar, Gjykata Supreme e SHBA-së mbështeti një ligj që ndalon TikTok-un nëse ByteDance nuk shet degën amerikane të kompanisë. Departamenti i Drejtësisë e ka cilësuar qasjen e TikTok në të dhënat e përdoruesve amerikanë si një “kërcënim serioz për sigurinë kombëtare”. ByteDance ka këmbëngulur se operacionet e saj në SHBA janë të pavarura dhe nuk ndanë të dhëna me qeverinë kineze.
Afati për një shitje është zgjatur tre herë, dhe ndalimi i fundit pritet të hyjë në fuqi më 17 shtator. Emra të ndryshëm janë përmendur si blerës potencialë, përfshirë Elon Musk, MrBeast dhe investitorin miliarder Frank McCourt.
Bessent theksoi se marrëveshja u njoftua në ditën e dytë të bisedimeve tregtare SHBA-Kinë, që synojnë t’i japin fund luftës tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë.
KAQPATA