
Prokuroria Themelore e Gjakovës ka ngritur aktakuzë kundër dy personave, A.T. dhe V.H., të cilët akuzohen për shantazh ndaj një gruaje, duke i kërkuar 5 mijë euro në këmbim të mos-zbulimit të informatave që mund të dëmtonin nderin dhe autoritetin e saj.
Sipas aktakuzës, e pandehura V.H. e kishte telefonuar disa herë viktimën, duke i thënë se posedonte prova për jetën e saj private dhe se, nëse nuk dorëzonte shumën e kërkuar, ato do t’i dërgoheshin bashkëshortit të saj.
Në ditën kritike, viktima vendosi të bashkëpunonte me Policinë. Ajo dorëzoi paratë në një qendër tregtare në Gjakovë, ashtu siç ishte kërkuar. V.H., e shoqëruar edhe nga vajza e saj 9-vjeçare, mori zarfin dhe tentoi të largohej, por u pikas nga një zyrtar policor. Në përpjekje për të shpëtuar, e pandehura hodhi zarfin në tokë, por u ndalua menjëherë nga forcat e rendit. Pak çaste më vonë u arrestua edhe A.T., i cili po priste në afërsi.
Prokuroria e akuzon të dy për veprën penale “Shantazh”, duke kërkuar nga gjykata shpalljen e tyre fajtorë dhe dënimin sipas ligjit.
KAQPATA