
Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar ndaj akuzave të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, duke e cilësuar si shpifje deklaratën e këtij të fundit lidhur me qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sallahu, përmes një postimi në Facebook, theksoi se gjatë mandatit të Qeverisë Kurti janë ndarë mbi 32 milionë euro për mbrojtjen ligjore të të akuzuarve që ndodhen në paraburgim në Hagë.
“Në mandatin tonë janë paguar mbi 32 milionë euro për mbrojtjen e personave që mbahen në paraburgim në Hagë! Pra, deklarimet e Memli Krasniqit janë veç shpifje!”, shkroi Sallahu.
Kjo deklaratë vjen pas kritikave të Krasniqit, i cili e cilësoi Kurtin si “argat të Prokurorisë së Specializuar” dhe e akuzoi për reduktimin e fondeve për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
“Kurti po vazhdon me qenë argat i Prokurorisë. Ai dhe Albulena Haxhiu ua kanë zvogëluar edhe fondet e mbrojtjes”, tha Krasniqi.
Sipas tij, deklarata e mbrëmshme e Kurtit – ku u aludua se Thaçi dhe Veseli po udhëheqin PDK-në nga paraburgimi – është “shpërfaqje e frikës që ka nga lirimi i tyre”.
“Ai nuk është i lumtur për këtë gjë”, u shpreh Krasniqi.
Kujtojmë se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ndodhen në paraburgim në Hagë, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.