
Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se në zgjedhjet lokale të ardhshme në Mitrovicë, listës së saj do t’i prijë Safet Kamberi. Lajmin e ka konfirmuar kryetari i degës së LDK-së në këtë komunë, Gëzim Plakolli, përmes një postimi në rrjetet sociale, duke shoqëruar njoftimin me një fotografi ku shfaqet përkrah kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, dhe vetë Kamberit.
“Bashkimi është fuqi – Dega e LDK-së në Mitrovicë, më e bashkuar se kurrë!”, shkruan Plakolli, duke theksuar rëndësinë e unitetit brenda strukturës lokale të partisë.
“Sot, më shumë se kurrë, dega e Mitrovicës po dëshmon se fuqia jonë qëndron në unitet. Bashkimi i të gjitha energjive, ideve dhe vullneteve tona është themeli mbi të cilin do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për qytetin tonë dhe për vendin. Me këtë mesazh dua të informoj të gjithë dashamirët e LDK-së në Mitrovicë, se Safet Kamberi do t’i prijë listës fituese të LDK-së,” shkroi ai.
Megjithëse nuk u konfirmua nëse Kamberi do të jetë edhe kandidat për kryetar të komunës, përzgjedhja e tij në krye të listës shihet si një lëvizje strategjike e LDK-së për të konsoliduar pozicionin në Mitrovicë dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve.
“Ky bashkim nuk është thjesht një akt simbolik – është një angazhim i sinqertë për të ecur përpara, për t’i dhënë forcë LDK-së sonë dhe për të vendosur interesin qytetar mbi gjithçka tjetër,” përfundoi Plakolli.
LDK synon të përforcojë prezencën në komunat kyçe të Kosovës, dhe kandidatura e Kamberit shihet si një përpjekje për të rikthyer partinë si forcë dominuese në Mitrovicën historikisht të rëndësishme për këtë subjekt politik.