Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka paralajmëruar Izraelin kundër aneksimit të Bregut Perëndimor, duke thënë se hapat e ndërmarrë nga Parlamenti izraelit dhe dhuna e kolonëve po rrezikojnë marrëveshjen e paqes për Rripin e Gazës.
Ligjvënësit izraelitë votuan të mërkurën për të çuar përpara dy projektligje që synojnë aneksimin e Bregut Perëndimor, vetëm një javë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ndërmjetësoi një marrëveshje që synon t’i japë fund luftës dyvjeçare izraelite në Rripin e Gazës.
“Mendoj se presidenti e ka bërë të qartë se kjo nuk është diçka që mund ta mbështesim tani për tani”, tha Rubio në lidhje me aneksimin, teksa u nis për një vizitë në Izrael. Lëvizjet për aneksim “janë kërcënuese për marrëveshjen e paqes”, shtoi ai.
Rubio theksoi se, edhe pse Izraeli është demokraci dhe qytetarët e tij do të votojnë, në këtë moment aneksimi mund të jetë kundërproduktive. Ai u shpreh i shqetësuar edhe për dhunën në rritje të kolonëve ekstremistë izraelitë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor.
Megjithatë, Rubio shprehu optimizëm për ruajtjen e marrëveshjes së paqes: “Çdo ditë do të ketë kërcënime ndaj saj, por fakti që e kaluam këtë fundjavë është një shenjë e mirë”.
Shtetet e Bashkuara mbeten mbështetësi kryesor ushtarak dhe diplomatik i Izraelit, dhe Rubio deri tani ka qenë i përmbajtur nga kritikat ndaj përpjekjeve për aneksim të mbështetura nga aleatët e ekstremit të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Megjithatë, disa shtete arabe dhe islame, të cilat SHBA po përpiqen t’i angazhojnë për të ofruar trupa dhe fonde për një forcë stabilizimi në Gazë, kanë paralajmëruar se aneksimi i Bregut Perëndimor – nën Autoritetin Palestinez – është vijë e kuqe.
Bregu Perëndimor është ndër tokat që Izraeli i pushtoi në luftën e Lindjes së Mesme në vitin 1967, ku palestinezët kërkojnë të krijojnë shtetin e tyre me mbështetje ndërkombëtare. Rreth 700,000 kolonë izraelitë jetojnë mes 2.7 milionë palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, të cilin Izraeli e aneksoi në një veprim që nuk njihet nga shumica e vendeve.
Shumica e bashkësisë ndërkombëtare i konsideron vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor si të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare, por Izraeli i kundërshton këto vlerësime, duke cituar lidhjet historike dhe biblike me tokën dhe duke theksuar se vendbanimet ofrojnë thellësi strategjike dhe siguri.
KAQPATA