Në Dhomat e Specializuara në Hagë, James Rubin ka dëshmuar se ish-kryenegociatori Hashim Thaçi nuk kishte kompetenca për të marrë vendime brenda UÇK-së gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Rubin tregoi se në qershor 1999 ishte dërguar nga Madeleine Albright për të siguruar që Thaçi të nënshkruante marrëveshjen për demilitarizimin e UÇK-së.
“Gjatë asaj kohe nuk qëndroja në Kosovë, por në një hotel në Shkup. Çdo ditë më dërgonin me veturë për t’u takuar në mal me Thaçin. Ishte fundi i qershorit 1999”, tha Rubin.
Ai theksoi se UÇK-në e udhëhiqnin komandantët në terren dhe jo Thaçi, i cili kishte më shumë rolin e përfaqësuesit politik.
“Nuk e kishte aftësinë e as kompetencën që të merrte vendime për UÇK-në. Ishte fytyra e saj, më shumë si ministër i jashtëm”, u shpreh Rubin.
KAQPATA