
Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, ka folur me krenari për origjinën e saj shqiptare në një intervistë për televizionin amerikan ABC, duke theksuar se përvoja si emigrante nga Kosova ka formuar thelbin e identitetit dhe artit të saj.
“Kurrë nuk e harroj nga vij. Qysh në fillimet e mia, kam folur gjithmonë për prejardhjen time si emigrante, për familjen time si refugjatë dhe sa shumë do të thotë kjo për mua. Më është dhënë mundësia të arrij ëndrrat e mia dhe këtë nuk e marr kurrë si të mirëqenë,” tha Rita, teksa kujtoi rrugëtimin e saj nga Kosova në Britani e më pas në skenat botërore.
Ajo u shpreh se arti i saj është ndërtuar mbi integritetin personal dhe jo sipas trendeve momentale, ndërsa për brezat e rinj, sidomos ata me sfida të ngjashme, ajo është një shembull frymëzimi dhe motivimi për të ndjekur ëndrrat e tyre pa frikë.
Rita foli edhe për ndikimin e rrjeteve sociale në jetën e saj, duke thënë se e përdor TikTok-un dhe platformat e tjera, por në procesin artistik mbetet e vërtetë ndaj vetes.
Një moment interesant që ndau me publikun ishte edhe propozimi për martesë që ia bëri vetë bashkëshortit të saj:
“Ishte momenti im me mikun tim më të mirë. Nuk e mendova shumë, derisa njerëzit filluan të më thoshin: ‘Wow!’ Por unë mendoj se kjo duhet të normalizohet. Jemi po aq të fuqishme sa burrat që propozojnë tradicionalisht.”
Me rrënjë të thella shqiptare dhe një karrierë të jashtëzakonshme ndërkombëtare, Rita Ora vazhdon të jetë një zë i fuqishëm për komunitetin shqiptar në diasporë, duke e përdorur suksesin e saj për të ndërtuar ura, jo vetëm artistike, por edhe kulturore e njerëzore.
KAQPATA