
Minuta e 92-të në stadiumin e Gjenevës do të mbetet e paharrueshme në historinë e futbollit zviceran. Në një moment kur gjithçka dukej e humbur dhe Finlanda po eliminonte Zvicrën nga Kampionati Evropian për femra, një vajzë 22-vjeçare me origjinë shqiptare – Riola Xhemaili – ndryshoi gjithçka.
Pas një krosi të saktë nga Geraldine Reuteler, Riola kontrolloi topin dhe me një goditje të saktë, barazoi rezultatin në 1:1. Një gol që jo vetëm e çoi Zvicrën për herë të parë në çerekfinale të një Evropiani, por ndezi entuziazëm në të gjithë vendin.
“Goli që do të mbetet përgjithmonë në historinë e futbollit zviceran,” shkroi gazeta “20 Minuten”. Dhe me të drejtë. Pasi nuk ishte thjesht një gol, por simbol i shpresës, këmbënguljes dhe besimit.
Pavarësisht formës së shkëlqyer me PSV Eindhoven – 14 gola dhe 6 asistime – Riola nuk ishte gjithmonë në planet e trajneres Pia Sundhage. Madje, ishte lënë jashtë në disa grumbullime. Por kur iu dha rasti, ajo tregoi vlerën e saj.
“E ndjeja që do ta shënoja atë gol,” tha ajo mes emocioneve. “Vetëm duhej të isha aty dhe të mos isha në ofsajd. E pashë topin, e godita dhe pastaj… festa!”
Në stadiumin e mbushur me mbi 26 mijë tifozë dhe më shumë se një milion shikues para ekraneve, Zvicra festoi si kurrë më parë. Në qendër të kësaj feste ishte një vajzë me rrënjë shqiptare që nuk u dorëzua kurrë.
Kapitenia Lia Walti e përshkroi Riolën me fjalët: “Ajo bën gjëra që të tjerat nuk i bëjnë. Jam jashtëzakonisht krenare për të.”
Falë këtij momenti magjik, Zvicra vazhdon ëndrrën në Evropian – dhe një vend i tërë beson. Riola Xhemaili është tashmë jo vetëm një emër i njohur, por një legjendë në ngjitje.
KAQPATA