
Borussia Monchengladbach mund të përjetojë një emër të madh në pankinë, pasi legjendës së Real Madridit, Raul Gonzalez, i është ofruar mundësia për të marrë drejtimin e skuadrës.
Sipas “SPORT BILD”, agjenti i spanjollit, Gines Carvajal, ia ka propozuar emrin e tij klubit gjerman pas shkarkimit të trajnerit Gerardo Seoane më 16 shtator.
Raul dha dorëheqjen këtë verë pas gjashtë vitesh në krye të Real Madrid Castilla dhe tashmë pret me padurim një sfidë të re në Bundesligë. Ai është i gatshëm të marrë përsipër projektin e ekipit të parë.
Spanjolli sjell disa avantazhe: flet rrjedhshëm gjermanisht nga koha kur luajti për Schalke 04 (2010–2012), njihet si trajner serioz dhe punëtor, dhe nuk ka kërkesa të mëdha financiare.
Emërimi i tij mund të sjellë freski te Gladbach, duke motivuar skuadrën dhe tërhequr edhe talente të reja, ngjashëm me suksesin që Xabi Alonso pati te Leverkuseni.
Aktualisht, klubi mbështetet te Eugen Polanski si trajner i përkohshëm, pas humbjes 4-6 ndaj Eintracht Frankfurt. Por opsioni Raul shihet si mundësi e guximshme për të hapur një faqe të re.
Kjo javë pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e Raul, dhe gjasat janë të mëdha që ai të marrë drejtimin e skuadrës gjermane.
KAQPATA