Irina Cishiq, e cila festoi ditëlindjen e parë më 8 tetor 1993, humbi jetën katër ditë më vonë nga një plumb snajperi ndërsa po ecte me nënën e saj në lagjen Ciglane të Sarajevës së rrethuar. Babai i saj, Samir Cishiq, kujton se nuk kuptuan kurrë pse një foshnje njëvjeçare u bë shënjestër.
Prej tridhjetë vitesh, prindërit kërkojnë të dinë nëse vrasja e vajzës së tyre ishte aksident apo për argëtim. Kohët e fundit, media italiane raportoi se Prokuroria e Milanos po heton pretendimet se të pasur nga vende të ndryshme paguanin për të qëlluar mbi civilët e Sarajevës, duke i cilësuar këto udhëtime si “turizëm i vdekjes”.
Sipas organizatave të viktimave, gjatë katër viteve të rrethimit një në dhjetë fëmijë të vrarë ishte viktimë e snajperistëve, mbi 14.000 të tjerë u plagosën, por asnjë snajperist nuk është dënuar individualisht. Tribunali i Hagës ka konkluduar se fushata e snajperëve kishte qëllim terrorizimin e popullsisë civile.
Benjamina Kariq, kryetare e Komunës Novo Sarajevo, paraqiti kallëzim penal në Bosnje dhe më pas në Itali, duke dorëzuar prova të reja përmes gazetarit italian Ezio Gavazzeni. Hetimi i Milanos, i udhëhequr me ndihmën e ish-gjyqtarit Guido Salvini, po jep shpresë për drejtësi.
“Gjithçka që po ndodh na jep një grimë shprese se një pjesë e drejtësisë më në fund do të vihet në vend,” tha Kariq.
KAQPATA

