Mitrovicë Veri, 18 Shtator 2025 – Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person është prezantuar rrejshëm si zv/drejtor i Policisë në Veri, Veton Elshani, dhe ka kërkuar ndihmë financiare nga një qytetar.
Viktima ka dërguar shumën prej 1.000 euro përmes “Western Union” në Bosnjë dhe Hercegovinë, por pas pagesës, personi i dyshuar ndërpreu çdo komunikim.
Rasti është iniciuar nga Prokuroria e Shtetit si “Mashtrim”, ndërsa njësitë përkatëse policore po vazhdojnë hetimet. Policia bën të ditur se raste të ngjashme janë raportuar edhe më parë në qytete të tjera të Kosovës.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e mashtrimeve telefonike ose përmes mesazheve të dyshimta. Policia këshillon:
- Mos u besoni personave të panjohur që prezantohen si zyrtarë policorë.
- Mos dërgoni mjete financiare përmes kanaleve të pasigurta.
- Çdo rast të dyshimtë raportojeni menjëherë në Policinë e Kosovës.
“Siguria juaj është prioriteti ynë. Kujdes nga mashtrimet!”, thuhet në komunikatën e PK-së.
KAQPATA