
Qeveria e Kosovës ka lejuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) të rifillojë prodhimin e energjisë elektrike në Termocentralin “Kosova A”, pavarësisht faktit se ky termocentral vazhdon të punojë pa sistem filtrimi, duke lëshuar në atmosferë sasi të mëdha tymi dhe ndotës të dëmshëm për shëndetin e qytetarëve.
Anëtari i AAK-së, Avni Arifi, reagoi ashpër ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar si një “krim mjedisor dhe institucional”. Në një video të publikuar në profilin e tij zyrtar, Arifi ka kërkuar arrestimin e përgjegjësve që kanë dhënë lejen për vënien në funksion të njësisë A5 pa sistem filtrimi.
“Kushdo që ka dhanë leje me u lëshu ky bllok i Kosovës A pa filtrat e ajrit, ish dasht me u arrestu. Kqyrne vetë çfarë helmi po na jepet pa u filtru, veç mos me pranu që KEK ka kolapsu”, shkruan Arifi.
Ai akuzon Qeverinë e Kosovës për fshehjen e gjendjes reale në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), duke thënë se situata aktuale po maskohet me vendime të rrezikshme, vetëm për të mbuluar dështimin menaxherial dhe kolapsin energjetik të ndërmarrjes publike.
Rreziku për shëndetin publik
Sipas organizatave mjedisore, lëshimi i tymit nga djegia e qymyrit pa filtrim përmban ndotës të rrezikshëm si PM2.5, PM10, SO₂ dhe NOx, të cilët lidhen drejtpërdrejt me:
- Probleme kronike të frymëmarrjes
- Kancer të mushkërive dhe sëmundje kardiovaskulare
- Rritje të ndotjes së ajrit, tokës dhe ujit
- Ndikim të dëmshëm te fëmijët dhe të moshuarit
Banorët përreth Obiliqit dhe Prishtinës kanë raportuar erë të rëndë industriale dhe tym të dendur që vjen nga termocentrali, ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk ka publikuar ende një raport për ndikimet aktuale shëndetësore.
Ndërsa qeveria nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare mbi çështjen, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka mohuar kolapsin energjetik të KEK-ut, duke e quajtur këtë një “dezinformatë” të qëllimshme nga opozita. Ajo ka theksuar se KEK-u nuk e ka ndalur asnjëherë prodhimin dhe se situata është nën kontroll.
Megjithatë, faktet në terren tregojnë të kundërtën: njësia A5 e “Kosovës A” është vënë në funksion në kushte të papërshtatshme teknike, duke anashkaluar nevojën për filtrim të ndotësve.
KAQPATA