Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka pranuar 71 ankesa pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, ndërsa njëra prej tyre ka rezultuar me gjobë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas vendimit, kandidati i LVV-së për Mitrovicën e Jugut, Faton Peci, ka mbajtur tubim elektoral një ditë para zgjedhjeve në oborrin e shkollës që të nesërmen shërbente si qendër votimi, duke shkelur rregullat.
PZAP ka konstatuar se aktiviteti u zhvillua pa leje nga Komisioni Komunal Zgjedhor dhe pa miratim nga drejtoria e shkollës, ndaj LVV-së iu shqiptua gjobë prej 2500 eurosh.
Ndërkohë, ankesa e LVV-së ndaj LDK-së për thyerje të heshtjes zgjedhore u refuzua si e pabazuar, pasi PZAP vlerësoi se videoja e siguruar ishte xhiruar jashtë hapësirave të vendvotimit dhe nuk dëshmonte aktivitet zgjedhor.
Shumica e ankesave të tjera janë vlerësuar si të pabazuara ose të pasafatshme. Në proces është ende ankesa e PDK-së, e cila pretendon manipulim me vota në Mitrovicën e Jugut dhe kërkon rivotim.
KAQPATA