
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pranuar të lejojë garanci të fuqishme sigurie për Ukrainën nga Shtetet e Bashkuara, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje gjatë takimit të tij me Presidentin Donald Trump, tha për CNN i dërguari kryesor amerikan, Steve Witkoff.
Witkoff përshkroi garancitë e sigurisë si një mbrojtje të tipit “Neni 5”, që do të ndalonte një pushtim të mëtejshëm rus. Putin gjithashtu pranoi një përfshirje legjislative për të mos hyrë në territore të tjera, brenda Ukrainës apo në Europë.
Gjatë takimit pothuajse treorësh, Putini parashtroi kërkesat e tij për shkëmbime territoresh, duke përfshirë kërkesën që Ukraina të heqë dorë nga rajoni i Donbasit. Në këmbim, Rusia do të pajtohej të ngrinte vijat e frontit në pjesët e tjera të Ukrainës, si rajonet e Khersonit dhe Zaporizhias, dhe të premtonte se nuk do të sulmonte më Ukrainën apo shtetet e tjera europiane.
Megjithatë, ai nuk u tërhoq nga kërkesat për të adresuar, sipas tij, “shkaqet rrënjësore” të luftës, duke përfshirë reduktimin e ushtrisë ukrainase, braktisjen e aspiratave për anëtarësim në NATO dhe shndërrimin e Ukrainës në një shtet neutral.
KAQPATA