
Komuna e Prishtinës ka reaguar pas raportimeve se disa operatorë nga Podujeva po shmangin ndalesën në Stacionin e Autobusëve të Prishtinës, duke u kthyer në pikën e vjetër te Xhamia e Llapit.
Në njoftimin për media, Komuna thekson se marrëveshja për qarkullimin e autobusëve ndërurbanë është arritur në bashkëpunim me Komunën e Podujevës, Ministrinë e Planifikimit të Mjedisit dhe Hapësinor, si dhe Shoqatën e Operatorëve të Transportit. Ndaj, veprimet e tilla konsiderohen shkelje të qarta të rregullave komunale dhe marrëveshjes së ndërsjellë.
Komuna paralajmëron se do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe administrative për të siguruar që të gjithë autobusët të ndalojnë në stacionin zyrtar, duke garantuar sigurinë në trafik, rendin publik dhe planifikimin urban të transportit.
Gjithashtu, Ministria e Planifikimit të Mjedisit dhe Hapësirës mund të revokojë licencat e operatorëve që nuk respektojnë itinerarin dhe pikën fillestare të nisjes. Komuna mbetet e gatshme për dialog, por vepron me vendosmëri për të mbrojtur interesat e qytetarëve.
Derisa Komuna e Podujevës nuk ka dhënë ende një përgjigje përfundimtare ndaj draft-marrëveshjes, situata mbetet nën vëzhgim.
KAQPATA