Kosova sërish u la jashtë fondeve të Bashkimit Europian. Jo për faj të Brukselit, por për faj të një klase politike që s’di as të turpërohet. Ndërsa fqinjët tanë marrin miliona për zhvillim, energji të pastër e digjitalizim, Kosova merret me hakmarrje politike.
Këta njerëz që e quajnë veten “udhëheqës” nuk janë udhëheqës, janë pengues. Pengues të progresit, të investimeve, të çdo shprese që qytetari ka pasur për një të ardhme më të mirë. Secila parti, pa dallim ngjyrash apo flamujsh, është pjesë e këtij turpi kombëtar. E majta, e djathta, e vjetra, e reja, të gjitha kanë dështuar në gjënë më elementare: të menaxhojnë shtetin.
880 milionë euro janë bllokuar sepse Kosova nuk ka institucione funksionale. Sepse pushteti merret me fjalë, jo me punë. Sepse çdo krizë politike trajtohet si lojë, jo si përgjegjësi. Dhe ndërsa ata luajnë, qytetari paguan, me varfëri, papunësi dhe humbje shprese.
Këta politikanë s’e kuptojnë më as rëndësinë e shtetit që drejtojnë. E kanë kthyer Kosovën në një laborator të mediokritetit, ku paaftësia është normë dhe përgjegjësia luks.
Në fund, nuk është Brukseli që po na mbyll derën. Janë politikanët tanë që po ia përplasnin derën vetes çdo ditë me duart e tyre, me arrogancë, me injorancë. Dhe derisa këta njerëz të mos kuptojnë se shteti nuk është pronë partiake, Kosova do të mbetet aty ku është sot: jashtë Evropës, jashtë zhvillimit, dhe gjithnjë më larg shpresës.
KAQPATA