
Zbatimi i ligjit në komunikacion po bëhet gjithnjë e më efikas në Kosovë, falë përdorimit të teknologjisë së avancuar nga Policia e Kosovës. Që nga muaji prill, një pjesë e gjobave për kundërvajtje në trafik po shqiptohen përmes veturave inteligjente dhe dronëve, ndërsa dërgimi i tyre po bëhet me postë, direkt në adresat e qytetarëve.
Zyrtarët policorë Getoar Gërguri dhe Petrit Tahiri, të angazhuar në njësinë e mbikëqyrjes së trafikut rrugor, janë ndër të parët që po përdorin veturat inteligjente për të identifikuar shkelësit në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Vetëm gjatë patrullimit në autostradë, përmes pajisjeve automatike, janë identifikuar drejtues mjetesh që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar prej 120 km/h. Njëri prej rasteve të evidentuara ishte një automjet që udhëtonte me 189 km/h — për të cilin u shqiptua gjoba prej 300 euro, 3 pikë negative dhe pezullim i patentë shoferit për 3 muaj.
“Vetura inteligjente identifikon shkeljen, printon dëshminë dhe më pas gjoba dërgohet me postë. Shoferi mund të mos e dijë fare në moment, por e merr dënimin më vonë në shtëpi,” shpjegon zyrtari policor Petrit Tahiri.
Sistemi funksionon edhe kur vetura është e ndalur. Pajisjet mbeten aktive dhe regjistrojnë çdo shkelje të rregullave të trafikut të automjeteve që kalojnë pranë.
Pasi të përfundojë mbikëqyrja në terren, zyrtarët policorë vazhdojnë punën në zyrë, ku verifikojnë çdo kundërvajtje. Një shembull tjetër është skadimi i regjistrimit të automjetit, për të cilin shqiptohet gjobë prej 200 euro.
Gjobat me dron
Përveç veturave inteligjente, policia po përdor edhe dronë për të kontrolluar shkelje më të vështira për t’u evidentuar: ndërrim i shiritit në vijë të plotë, mosrespektimi i semaforëve, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes dhe mospërdorimi i rripit të sigurisë.
Zyrtari policor Fisnik Krasniqi thekson se këto pajisje janë efektive dhe ndihmojnë në kapjen e kundërvajtësve në kohë reale. Në një rast, një shofer u kap duke kaluar vijën e plotë në një rrethrrotullim — gjoba ishte 40 euro. Në rast tjetër, drejtuesi i një veture u ndëshkua me 150 euro për mosrespektim të dritës portokalli në semafor.
“Në raste të tilla, gjobat mund të dërgohen me postë ose shoferi ndalet menjëherë në vendin e kundërvajtjes,” tha Krasniqi.
Statistikat
Që nga fillimi i përdorimit të kësaj teknologjie në muajin prill, policia ka shqiptuar gjithsej 732 gjoba vetëm përmes veturave inteligjente:
- Prill: 275 gjoba
- Maj: 267 gjoba
- Qershor (deri më tani): 190 gjoba
Ndërkohë, në nivel vendi, çdo ditë policia e Kosovës shqipton rreth 2,000 gjoba në ditë, përveç fundjavave, kur mesatarja bie në rreth 1,500.
Me këtë qasje të re, institucionet synojnë jo vetëm të rrisin sigurinë në rrugë, por edhe të përshpejtojnë procesin e ndëshkimit të shkelësve të ligjit në trafik.
KAQPATA