Policia e Kosovës ka prezantuar planin e saj operativ për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor, duke e cilësuar këtë datë si “Dita Z”. Sipas njoftimit zyrtar, operacioni policor do të zhvillohet në katër faza, duke përfshirë periudhën përgatitore, fushatën parazgjedhore, ditën e zgjedhjeve dhe periudhën pas procesit.
Në kuadër të këtij plani, një numër i madh zyrtarësh policorë të njësive të ndryshme do të angazhohen për të garantuar rendin dhe sigurinë në të gjithë territorin e vendit. Policia ka theksuar se janë caktuar koordinatorë të posaçëm me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet tjera përkatëse, ndërsa është përgatitur edhe një udhëzues për detyrat ligjore të zyrtarëve gjatë procesit zgjedhor.
Qëllimi kryesor i operacionit është sigurimi i një atmosfere të qetë e demokratike për qytetarët e Republikës së Kosovës, mbrojtja e qendrave të votimit dhe garantimi i transportit të sigurt të materialeve zgjedhore.
Policia njofton se do të veprojë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit për çdo rast të shkeljeve që bien ndesh me ligjet mbi zgjedhjet e lira dhe demokratike. Po ashtu, qytetarët dhe përfaqësuesit e subjekteve politike ftohen të raportojnë çdo rast të dyshuar përmes numrit 192 ose adresës elektronike info@kosovopolice.com.
Policia e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për ta realizuar këtë operacion me profesionalizëm, integritet dhe transparencë.
KAQPATA