
Policia e Kosovës ka pranuar sot një donacion të rëndësishëm për njësinë e saj K9, përmes një ceremonie zyrtare të mbajtur në ambientet e Kampit Vrella, ku u dorëzuan pesë automjete speciale dhe një qen zyrtar i racës belg Malinois, i dhuruar nga Ambasada e Francës.
Në këtë ngjarje morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Kolonel Gazmend Hoxha, dhe Zëvendësministri në detyrë Bardhyl Dobra, të cilët falënderuan OSBE-në, si dhe ambasadat e Francës dhe Gjermanisë për mbështetjen e vazhdueshme në fuqizimin e kapaciteteve operacionale të Policisë së Kosovës.
Ambasadorët Gerard McGurk (OSBE), Olivier Guerot (Francë) dhe Jörn Rohde (Gjermani), në fjalimet e tyre theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në rritjen e aftësive të institucioneve të sigurisë në vend, duke e vlerësuar njësinë K9 si një segment kyç në luftën kundër krimit dhe ruajtjen e rendit publik.
Ky donacion është pjesë e projektit për luftimin e armëve të vogla dhe të lehta (SALW) dhe përfshin një mbështetje të gjerë që për vite me radhë ka përfshirë: ngritje të kapaciteteve për trajnim, dhurim të automjeteve, qenve zyrtarë dhe zhvillim të infrastrukturës trajnimi.
Gjatë ceremonisë, u mbajt edhe një ushtrim praktik në poligonin e njësisë K9, ku u prezantuan në mënyrë konkrete aftësitë e reja të fituara në parandalimin e krimit dhe mbështetjen e operacioneve të specializuara.
Policia e Kosovës ka rikonfirmuar përkushtimin për të thelluar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, me synim forcimin e sigurisë publike dhe garantimin e rendit për të gjithë qytetarët, pa dallim.
KAQPATA