Një zyrtar policor në Pejë ka humbur njërën këmbë pas një aksidenti të rëndë trafikur, ku u përfshi një automjet i KFOR-it dhe një veturë civile. Për shkak të goditjes së fortë, mjekët u detyruan t’i bëjnë amputimin e gjymtyrës, ndërsa ai aktualisht po trajtohet në QKUK.
Autoritetet kanë njoftuar se procedurat penale për rastin do të trajtohen nga shteti italian, për shkak të imunitetit që kanë pjesëtarët e KFOR-it në Kosovë. Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje mungesën e sigurimit shëndetësor për Policinë e Kosovës, një çështje e pazgjidhur prej mbi 25 vitesh. Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme, përfshirë ato të ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla, policët ende nuk kanë sigurim shëndetësor dhe jetësor, pavarësisht rrezikut të lartë në detyrë.
Ish-koloneli Refki Morina vlerëson se sigurimi është i domosdoshëm, duke theksuar se policët shpesh mbeten invalidë gjatë kryerjes së detyrës. Edhe protestat e vitit 2023, ku policët kërkuan shtesën e rrezikshmërisë, shujtat dhe sigurimin shëndetësor, nuk kanë sjellë ndryshim.
Deri më tani, asnjë nga kërkesat e policisë nuk është realizuar.
KAQPATA