
Kryeministri në detyrë dhe njëherësh lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka vazhduar të ngrejë tonet ndaj opozitës, këtë herë duke e quajtur atë “nomade”. Pas dështimit të seancës së 34-të për konstituimin e Kuvendit, Kurti sulmoi opozitën me një gjuhë simbolike, por provokuese.
“Deputetët që nuk duan të kenë shtëpi, janë nomadë. Kuvendi është shtëpia e deputetëve, sidomos e opozitës. Ata që nuk e duan atë, nuk e duan as demokracinë”, deklaroi Kurti.
Por kjo deklaratë nuk mbeti pa reagim. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, iu kundërpërgjigj menjëherë. Ajo tha për Klan Kosova se Kurti, pasi ka bllokuar institucionet, ka mbetur vetëm duke fyer kundërshtarët.
“Tash kur Kurti ka okupuar institucionet dhe ka bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës, s’i ka mbetur gjë tjetër veç të etiketojë dhe shajë deputetët”, deklaroi Kadriaj.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Kurti përdor gjuhë të fortë ndaj opozitës. Në natën e zgjedhjeve të 10 shkurtit, ai i quajti “hajvana” partitë rivale, duke shkaktuar reagime të shumta publike.
Tensionet mes pozitës dhe opozitës po thellohen, ndërsa Kosova vazhdon të mbetet pa institucione të reja funksionale, mes një krize të pazgjidhur politike.
KAQPATA