Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar një padi pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), duke kërkuar anulimin e vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në vend. Sipas PDK-së, ky vendim po sjell pasoja të rënda për ekonominë, duke rrezikuar mijëra biznese dhe vende pune.
Në njoftimin e bërë publik nga partia, thuhet se vendimi i ZRrE-së është marrë pa një proces të drejtë, gjithëpërfshirës dhe ligjërisht të bazuar. PDK paralajmëron se mbi 1,300 biznese vendore dhe mbi 140 mijë punëtorë janë në rrezik për shkak të efekteve të menjëhershme të këtij vendimi.
“Ky vendim ka filluar të prodhojë pasoja të pakthyeshme për sektorin privat dhe ekonominë e Kosovës. Rritja e çmimeve, nxitja e inflacionit dhe rreziku i falimentimit të bizneseve janë pasoja të drejtpërdrejta të këtij vendimi të njëanshëm,” thuhet në njoftim.
PDK ka kërkuar nga gjykata edhe pezullimin urgjent të vendimit, përmes një mase sigurie, duke u bazuar në Ligjin për Konfliktet Administrative. Sipas partisë, veprimi i ZRrE-së është bërë në mënyrë qëllimshme për të shmangur kontrollin gjyqësor, pasi vendimi është shpallur përmes një njoftimi të thjeshtë, pa procedurë administrative të plotë.
“ZRrE ka shkelur të drejtat e konsumatorëve dhe bizneseve të mëdha, por edhe interesin ekonomik të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ky veprim nuk ka kaluar përmes procedurave të rregullta ligjore dhe përbën rrezik serioz për rendin kushtetues dhe ekonominë kombëtare,” thuhet më tej.
PDK e konsideron vendimin e Gjykatës Komerciale, që pranoi kërkesën e një kompanie private për pezullim të vendimit të ZRrE-së, si një precedent të rëndësishëm. Partia shpreson që ky vendim të konfirmohet në të gjitha instancat gjyqësore dhe të shërbejë si bazë për një praktikë të unifikuar ligjore në raste të ngjashme.
Në fund, PDK thekson se mbetet e përkushtuar për të mbrojtur interesin publik, sektorin privat dhe sigurinë ekonomike të vendit, duke paralajmëruar ndjekje të mëtejshme ligjore në rast se nuk merren masa nga autoritetet gjyqësore.
KAQPATA