
Një 54-vjeçare nga Kosova, e cila punonte si pastruese në një azil pensionistësh në Winterthur të Zvicrës, po përballet me akuza të rënda për vjedhje.
Sipas aktakuzës, gruaja dyshohet se ka kryer 19 vjedhje mes janarit 2020 dhe qershorit 2022, duke përvetësuar bizhuteri, para të gatshme dhe monedha ari nga kasafortat, portofolet, sirtarët dhe arkat e banorëve të azilit. Vlera e përfitimit të saj arrin deri në 40 mijë franga zvicerane.
Raportohet se nga 19 viktimat e vjedhjes, dhjetë kishin ndërruar jetë tashmë kur u ngrit aktakuza në dhjetor të vitit 2024.
Hetimet zbuluan se tek e dyshuara u gjetën 15 bizhuteri dhe 800 franga para të gatshme, të cilat dyshohet se ishin marrë nga të moshuarit që jetonin në shtëpinë e pleqve.
Rasti ka shkaktuar reagime të forta në opinionin zviceran, duke ngritur shqetësime mbi sigurinë e të moshuarve në azilet publike dhe private. Procesi gjyqësor pritet të zhvillohet në ditët në vijim.
KAQPATA