
Modelja e njohur shqiptare, Arbenita Ismajli, ka reaguar publikisht pasi Gjykata Themelore në Gjilan lëshoi urdhër-arrest dhe letër-rreshtim ndërkombëtar ndaj saj.
Lajmin e konfirmoi edhe zëdhënësi i gjykatës, Sabit Shkodra, i cili sqaroi se vendimi është marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Hetimet ndaj Ismajlit kishin nisur që në muajin qershor, pas dyshimeve se ajo kishte penguar zbatimin e një vendimi gjykate për takimet e vajzës me babanë biologjik, këngëtarin Feronit Shabani (Feron).
Sipas aktvendimit, Shabani kishte të drejtë të takohej me vajzën dy herë në muaj përmes Qendrës për Punë Sociale në Gjilan. Prokuroria pretendon se modelja nuk e ka respektuar këtë marrëveshje.
Megjithë presionin mediatik, Arbenita ka zgjedhur të reagojë me një mesazh të tërthortë në rrjetet sociale. Në një video të publikuar nga makina, ku në sfond dëgjohej një këngë e Rihannës, ajo u shpreh:
“E di çdo tekst këngësh të Rihannas fjalë për fjalë”,
duke lënë të kuptohet se po përpiqet të ruajë qetësinë edhe në këtë situatë të ngarkuar.
Ky zhvillim ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të vijojë procesi ligjor dhe qëndrimi i modeles në ditët në vijim.
KAQPATA