
Nën britma dhe duke u shqelmuar, momenti i arrestimit të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu – pak kohë më pas ndërron jetë
Gazeta Demos ka siguruar pamje ekskluzive nga momenti kur policia arreston 27-vjeçarin Agon Zejnullahun, mbrëmë rreth orës 00:15 në rrugën “Haradin Bajrami” në komunën e Lipjanit. Pak pas arrestimit, ai ndërroi jetë.
Në pamjet e siguruara shihet se gjatë arrestimit, i ndjeri po rënkonte dhe britmat e tij u shtuan në momentin kur një nga katër policët, që e kishin shtrirë në tokë, rrëshqiti me këmbë. Dyshohet se nga kjo rrëshqitje, viktima ka goditur kokën.
Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Prishtinës, Agron Borovci, konfirmoi për Gazetën Demos se viktima dyshohet të ketë qenë nën ndikimin e alkoolit dhe kishte sulmuar automjete dhe kalimtarë në vendin e ngjarjes.
Policia reagoi menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje mbërriti edhe ekipi mjekësor emergjent që i ofroi ndihmën e parë, por përkundër përpjekjeve, 27-vjeçari u konstatua i vdekur.
Në vendin e ngjarjes janë angazhuar njësitë relevante hetimore dhe Prokurori për Krime të Rënda, të cilët po ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave. Janë siguruar prova materiale dhe janë intervistuar dëshmitarët.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetim penal, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Hetimet vazhdojnë për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e këtij rasti.
KAQPATA