
Dega e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) në Pejë ka shpallur një nismë për përgatitjen dhe pastrimin e listave të luftëtarëve të UÇK-së në këtë komunë, në përpjekje për të “ruajtur dinjitetin dhe të vërtetën e luftës sonë çlirimtare”.
Iniciativa u shpall në kuadër të 26-vjetorit të Çlirimit të qytetit të Pejës dhe synon të rivlerësojë dhe saktësojë përfaqësimin e luftëtarëve në listat zyrtare.
“Me rastin e 26-vjetorit të Çlirimit të qytetit të Pejës, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dega në Pejë, shpall nismën për përgatitjen dhe pastrimin e listave të luftëtarëve të UÇK-së në Komunën e Pejës. Kjo iniciativë vjen si nevojë për të ruajtur dinjitetin dhe të vërtetën e luftës sonë çlirimtare,” thuhet në njoftim.
Në deklaratë, OVL-UÇK Pejë thekson se kjo nismë është një hap i domosdoshëm për të respektuar sakrificën e luftëtarëve të vërtetë dhe për të mbrojtur emrin e shenjtë të ushtarit të UÇK-së nga përdorimi i padrejtë apo manipulimi.
“Ftojmë të gjithë bashkëluftëtarët, familjarët dhe strukturat lokale që të jenë pjesë e këtij angazhimi të përbashkët, për të ruajtur të pastër historinë dhe të shenjtë kontributin e secilit luftëtar të vërtetë. Lavdi e përjetshme Dëshmorëve të Kombit! Nderim të gjithë luftëtarëve të lirisë!”, përfundon njoftimi.
Kjo nismë vjen në një kohë kur rasti i njohur si “Veteranët” – që ka të bëjë me fryerjen e listave të përfituesve të statusit të veteranit të luftës – vazhdon të jetë në proces gjyqësor që nga viti 2018. Në atë rast, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuza ndaj disa anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve të Luftës.
Pastrimi i listave, i inicuar në Pejë, mund të shërbejë si model për dega të tjera të OVL-UÇK-së, në përpjekje për të kthyer besimin dhe për të mbrojtur moralin e luftës çlirimtare, përballë njollave të abuzimit institucional dhe politik.
KAQPATA