
Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar pasoja juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit 30-ditor të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Pavarësisht vendimit të Kushtetueses më 26 qershor, i cili i jep afat deputetëve për ta përfunduar Seancën Konstituive deri më 26 korrik, partitë politike nuk kanë bërë asnjë përparim konkret drejt zgjidhjes së bllokadës.
“Kur diçka është obligim kushtetues, moszbatimi sjell pasoja juridike. Ne nuk mund të sillemi sikur pas 30 ditësh mund të vazhdojmë sikur asgjë s’ka ndodhur”, deklaroi Osmani.
Ajo bëri të ditur se nëse nuk ka konstituim të Kuvendit “shumë shpejt”, ajo do t’i drejtohet vetë Gjykatës Kushtetuese për një sqarim se çfarë ndodh më pas.
“Dua të sqarohet qartë se cila është pasoja juridike e moskryerjes së detyrimit për konstituim brenda 30 ditëve”, shtoi ajo.
Presidentja ka zhvilluar sërish takime me partitë politike, por ngërçi mbetet i pandryshuar: palët nuk po lëvizin nga qëndrimet e tyre.
KAQPATA